Udhëheqësi i Ambasadës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, ka prezantuar përparësitë e Çekisë gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së, raporton InLajmi.
Në prezantimin që e bëri para krerëve të shtetit, Bilek foli për prioritetet që i ka shteti i tij, duke mos lënë anash liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kur e filluam mandatin e parë, u përballëm me krizën e pandemisë. Tani po përballemi përsëri me një krizë, luftën në Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka ndikuar shumë në planet tona të ardhshme. Pushtimi rus në këtë shtet ka ndikuar shume në gjeopolitikat e BE-së. Në të njëjtën kohe kjo luftë ka treguar se evropianët veprojnë në mënyrë të shpejt, efektive dhe të bashkuar. Edhe liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendat e larta të Bashkimit Evropian”, tha Bilek.
Bilek ka thënë se liberalizimi i vizave është një agjendë e lartë për Bashkimin Evropian.
Gjithashtu ai tha se, Kosova do të kandidojë për anëtarësimin në BE dhe se ndihet i lumtur që kjo do të ndodhë gjatë presidencës çeke.
“Kosova është e këmbëngulur për integrimin evropian. Agjenda evropiane është baza e gjithë veprimeve dhe ligjeve tona. Kosova do të kandidojë për statutin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe jemi të lumtur që kjo do të ndodhë gjatë presidencës çeke. Edhe njëherë, Kosova është e përkushtuar qe të qëndrojë përkrah BE-së në këtë kohë krize”, tha e para e shtetit. /InLajmi/