Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese për interpretim ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Para mediave, deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, ka deklaruar se LDK-ja nuk pajtohet me mënyrën si është proceduar ky ligj dhe se amendamentet e tij janë në kundërshtim me frymën kushtetuese.
“Nuk pajtohemi me mënyrën se si është ardhur dhe se si është proceduar. Amendamentet mendojmë që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe frymën e saj. Dhe besojmë që interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme për demokracinë dhe për frymën e gjyqësorit, për të cilin pretendohet që të gjithë në një zë duhet të sigurojmë në mënyrë të barabartë dhe demokratike, pa ndërhyrje dhe pa kapje të këtij institucioni kushtetues shumë të rëndësishëm”, ka thënë Zemaj pas dorëzimit të ligjit në Gjykatë, shkruan Telegrafi.
Gjatë ditës edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Kushtetuese për interpretim Ligjin për KPK-në të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.