Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të diskutuar në lidhje me procesin e vetingut, përcjell InLajmi.
Në njoftim thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti.
Njoftimi i plotë nga Zyra e Kryeministrit:
Pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, është takuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministren Nita Shala, Kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, respektimin e standardeve evropiane, si dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar kërkesë në Komisionin e Venecias, me qëllim të dhënies së opinionit për Koncept Dokumentin për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe draftin e amendamenteve kushtetuese.
Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për Vetingun.
Me qëllim të njoftimit të mëtejmë lidhur me këtë proces, koordinimit të përbashkët dhe përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës. /InLajmi/