Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, së bashku me ministrat Hajdari, Rizvanolli, Murati, Aliu, takoi anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, të votuar gjatë javës së kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përcjell InLajmi.

Gjatë takimit, Kryeministri theksoi rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit përmes zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore në fuqi.
Për më tepër, Kryeministri potencoi përgjegjësinë që anëtarët e këtij Bordi kanë dhe nevojën e domosdoshme për të garantuar transparencë, dhe për të dëshmuar profesionalizëm dhe integritet në ushtrimin e detyrës.
Së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar, Kryeministri shprehu nevojën e dëshmimit të pavarësisë së plotë të punës së Bordit, nga të gjitha strukturat dhe pushtetet e vendit.
Vetëm veprimi i atillë mund të shkojë në dobi të fuqizimit të shtetit ligjor dhe kthimit të besimit të qytetarëve, bizneseve e investitorëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit./InLajmi/





















