Rusia do të dërgojë aleates së saj, Bjellorusisë, sisteme raketore me rreze të shkurtër, por me kapacitet bërthamor, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.
Ai ka thënë se sistemet Iskander-M “mund të nisin raketa balistike dhe lundruese, si konvencionale, ashtu edhe të llojit bërthamor”.
Sistemet mund të përshkojnë deri 500 kilometra.
Tensionet në mes të Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar, prej kur Putin ka marrë vendim për të pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.
Putin ka bërë disa herë referenca për armët bërthamore prej atëherë.
Disa i kanë interpretuar deklaratat e tij si paralajmërim për shtetet e Perëndimit që të mos përfshihen në luftë.
Duke folur në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Rusia do të ndihmojë në modifikim të aeroplanëve luftarakë bjellorusë SU-25, në mënyrë që ata të mund të bartin armë bërthamore.
Putin i ka bërë këto deklarata si përgjigje ndaj kërkesës së liderit autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenka.
Raketat Iskander tashmë janë pozicionuar në Kaliningrad, një enklavë e vogël ruse mes anëtareve të NATO-s, Lituanisë dhe Polonisë.
Të dy liderët kanë diskutuar edhe vendimin e Lituanisë për të parandaluar bartjen e disa mallrave nga dhe drejt Kaliningradit – një hap që ka zemëruar Moskën.
Lukashenka ka thënë se vendimi i Lituanisë “ka qenë një lloj deklarate e luftës” dhe hap “i papranueshëm”.
Çeliku dhe disa mallra ruse janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, të vëna ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës.
Lituania ka thënë se masat që ka marrë ajo, prekin vetëm 1% të transitit të mallrave ruse, duke hedhur poshtë deklaratat ruse për “bllokim” të Kaliningradit.
Severodonjecku në duart e Rusisë
Ndërkohë në Kiev është raportuar për disa shpërthime në mëngjesin e së dielës, sipas kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko.
“Ambulancat dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar. Në 2 ndërtesa është duke vazhduar kërkimi dhe evakuimi”, ka shtuar ai.
Agjencia e lajmeve, AFP ka raportuar se është goditur një kompleks residencial.
Të shtunën, Ukraina ka thënë se forcat ruse kanë “pushtuar plotësisht” qytetin kyç lindor Severodonjeck, pas disa javëve të luftimeve të ashpra.
Marrja e ytetit nënkupton që Rusia tani kontrollon gati gjithë rajonin Luhansk dhe një pjesë të rajonit fqinj, Donjeck – të 2-ja rajonet njihen si Donbas.
Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar për kthim të “të gjitha qyteteve tona” të pushtuara nga Rusia.
Më 2021, Rusia dhe Ukraina janë renditur si lidere globale në eksport të elbit, misrit, luleve të verdha për vajra, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 % të furnizimeve me grurë në botë. Rusia eksporton 17 % të grurit në nivel botëror, ndërsa Ukraina rreth 20 % të luleve të verdha për vajra.