Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, i ka numëruar disa nga ato që ai aludon se janë dështime të Qeverisë Kurti, përcjell InLajmi.
Abdullahu ka thënë se për mosliberalizimin e vizave fajtor janë vetëm evropianët kurse më parë kanë qenë fajtorë vendorët dhe për këtë kërkonin dorëheqje pse nuk po i fitonin vizat.
Gjithashtu ai tha se veteranët për Qeverinë ishin të mirë vetëm në luftë.
Postimi i plotë i tij:
Nuk ka liberalizim të vizave. Kësaj radhe për qeveritarët e sotëm, fajtor për këtë janë vetëm evropianët e më parë ishin vetëm vendorët të cilët fajsoheshin shumë dhe për të cilët kërkohej dorëheqje pse nuk i fitonim vizat.
Nuk ka rritje pagash për veteranët. Ata ishin të mirë vetëm dje në luftë. Sot në paqe nga kjo Qeveri trajtohen si tepricë e panevojshme.
Nuk ka trust për qytetarët që janë në hall të madh financiar. Por ka përgjigje nga Qeveria – Trusni
Nuk ka zbritje të çmimeve të energjisë elektike. Fajtor sipas qeveritarëve janë ata që deshtën me i ul këto çmime, prandaj intervenoi gjykata që kjo ulje çmimi të mos ndodh.
Nuk ka anëtarësim në Këshill të Evropës. Faji prap gjendet diku tjetër e sidomos në të kaluarën, por ai nuk është i Qeverisë në asnjë variantë dhe për asgjë.
Nuk ka ‘Marrëveshje të re me Serbinë për energjinë’. Ajo e djeshmja sipas qeveritarëve të sotëm e opozitarëve të djeshëm ishte tradhëti dhe rrugë që Serbia të kthehet në Kosovë. Marrëveshja e sotme, që është e njëjta, është forcim i pavarësisë sipas Qeverisë.
Nuk ka lajme ende nga afera e Ambasadorit Berishaj. Mos transparenca është politika më e mirë për ata që kanë çka të mbajnë të fshehur, si paret në çantën e ambasadorit misterioz. /InLajmi/