Njohësi i Integrimeve Europiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se nëse Franca del në anën e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave, atëherë deri në fund të vitit mund të ketë diçka.
Kryeziu thotë se nuk e ka pritur që sot të ketë vendim dhe shton se samiti nuk është mbledhur për viza. Ai shton se me përkrahjen e shteteve më të mëdha në BE, atëherë do të ishte më e lehtë. Ai po ashtu tha se liberalizimi nuk është dashur të lidhet me procese tjera sikur dialogu.
“Nëse Franca e shtyn përpara këtë proces, mund të ketë diçka deri në fund të vitit. Gjermania po shihet se ka qëndrim, edhe Holanda ka lëviz”, tha ai.
“Në kuptimin e fuqisë politike. Duhet me votu 55% e shteteve anëtare që e përfaqësojnë 65% të popullsisë. Pra nuk duhet unanimitet, por duhet një shumicë e dyfishtë. Me Francën si shtet i madh do të ishte më e sigurt. Është lehtë e arritshme me të. Unë mendoj që mund të ketë lajme të mira, vendimmarrje brenda këtij viti. Tash a do të jetë tetori, nëntori apo kulminacion do të ketë tek festat, nuk mund ta themi”, shtoi Kryeziu.
Ai tutje në emisionin Dpt te Fidani në T7 tha se procesi prej ku jemi sot, mund të zgjasë 7 deri në 9 muaj nëse i marrin për referencë 2 shtetet e fundit që kanë fituar liberalizimin e vizave.
“Nëse e marrim referencë Gjeorgjinë dhe Ukrainën, 7-9 muaj prej ku jemi sot”, përfundoi ai.




















