Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për mos heqjen e taksës për naftë, përcjell InLajmi.
Lidhur me këtë Abdixhiku ka thënë se presidenti i ekonomisë më të fuqishme në botë, Joe Biden, i ka nisur të mërkurën Kongresit Amerikan propozimin për heqjen e taksës në naftë për 3 muajt e ardhshëm.
Ai ka thënë se këtë të hënë, në debatin parlamentar të kërkuar nga LDK-ja, ka qenë koha që edhe Kosova me qytetarë të rreshtohet prapa një politike të tillë.
Postimi i plotë i tij:
Presidenti i SHBA-ve, i ekonomisë më të fuqishme në botë, Joe Biden, i ka nisur dje Kongresit Amerikan propozimin për heqjen e taksës në naftë për 3 muajt e ardhshëm; si masë e domosdoshme e stabilizimit të çmimeve të gjithëmbarshme.
Kryeministri i ekonomisë më të varfër në Evropë, Kurti, vazhdon të refuzojë propozimin tonë të 7 marsit për masë krejtësisht të ngjashme – reduktimin e akcizës dhe TVSH për 3 muajt e ardhshëm.
Kokëfortësia, paranoja e refuzimi i propozuesit e jo propozimit s’janë zgjidhje në politikë. Kosova ka nevojë për lidership në momente krize; jo teke të tilla. Mund të vonoheni, të bëni dëme edhe më shumë, por zgjidhje tjetër – përveç propozimit të LDK-së s’keni si zëvendësim.
Qeveritë e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Holandës, Belgjikës, Suedisë, Polonisë, Portugalisë, Irlandës, Hungarisë, Kroacisë e Sllovenisë – tashmë kanë reduktuar akcizën dhe TVSH-në në naftë e derivate. Këtë të hënë, në debatin parlamentar të kërkuar nga LDK, është koha që edhe Kosova – me qytetarë me standard shumëfish më të ulët për krahasim – të rreshtohet prapa një politike të tillë. /InLajmi/