Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar marrëveshjen e miratuar Kosovë-Serbi për sektorin e energjisë, përcjell InLajmi.
Abdixhiku tha se udhërrëfyesi i miratuar për energjinë përcakton implementimin e 2 marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015.
Tutje ai tha se kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto 2 marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
Kryetari i LDK-së tha se subjekti i tij politik ka mbështetur në vijimësi marrëveshjet në interes të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Qeveria e Kryeministrit Kurti sot nënshkroi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun e vendit. Ky udhërrëfyes përcakton implementimin e 2 marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet.
Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto 2 marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto 2 marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë.
LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj./InLajmi/