Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, në një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve DPA ka deklaruar se 7 vendet më të fuqishme në botë të njohur si G7 duhet të sigurohen se nuk do t’i ecin llogaritë siç planifikon presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
“Ne duhet të sigurohemi që llogaritjet e presidentit rus Vladimir Putin të mos funksionojnë” tha Scholz.
Ai theksoi se Ukraina do ta marrë mbështetjen e këtyre vendeve deri sa të jetë e nevojshme.
Sipas tij kjo do të bëhet e qartë gjatë javës së ardhshme në samitin e G7 që do të mbahet në fshatin Elmau të rajonit të Bavarisë.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ai.
Tutje gjatë intervistës kancelari gjerman ka thënë se me homologët e tij nga Franca, Italia dhe Rumania, i ka diskutuar furnizimet e mëtejshme me armatim për Ukrainën.
I pari i Qeverisë së Gjermanisë theksoi se ka diskutuar veçanërisht me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, municionet dhe artilerinë gjatë vizitës së tyre në Kiev të enjten, shkruan Klan Kosova.
Gjermania, Franca, Italia, Rumania, mbështetën gjithashtu ofertën e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një qëndrim që Scholz tha se shpresonte që të gjitha vendet e bllokut ta mbështesin në një tubim në Bruksel javën e ardhshme.