Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale” ka rikujtuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përcjell InLajmi.
Osmani ka thënë se përpjekjet për të sjellë para drejtësisë ata që kryen këto krime nuk do të ndalen.
Tutje presidentja tha se “qëndrojmë së bashku, sot e përgjithmonë, me mijëra gra dhe burra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë kaluar nëpër tmerrin e krimeve të regjimit gjenocidal të Millosheviqit”.
Ajo tha se këta gra e kanë kthyer dhimbjen në fuqi, duke treguar guximshëm të vërteten.
Postimi i plotë i saj:
Qëndrojmë së bashku, sot e përgjithmonë, me mijëra gra dhe burra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë kaluar nëpër tmerrin e krimeve të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ato vazhdojnë guximshëm ta prezantojnë të vërtetën dhe kanë kthyer dhimbjen në fuqi, duke u shndërruar kështu në heroinat tona.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, rikujtojmë se përpjekjet tona për t’i sjellë kryesit e këtij krimi të llahtarshëm para drejtësisë nuk do të ndalen asnjëherë. /InLajmi/