Kryeparlamentari Glauk Konjufca, gjatë vizitës së tij në Hagë, i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale që t’i lirojë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen të burgosur atje derisa zyrtarisht të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre.
“Gjykata nëse nuk është e përgatitur, duhet t’i lirojë këta njerëz e pastaj kur të jetë e përgatitur të vazhdojë procesi gjyqësor ose ta pranojë që edhe pa fillu procesi gjyqësor, duke i mbajtur këta me qëllim, nuk mund të definohet tjetër përpos se izolim. Kjo quhet izolacion, izolacion i një personi për mos me mujtë me qenë afër familjes, afër shoqërisë, mos me mujtë me i kry detyrat e veta elementare dhe publike meqenëse personat për të cilët po flasim, mos të harrojmë, jo vetëm që kanë dhënë kontributin e tyre në të kaluarën, jo vetëm që kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe në përgjithësi të rëndësishëm në jetën publike”, tha Konjufca në RTK.
Ai, çështjen e akuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së e konsideron çështje madhore që prekë jo vetëm ata, por mund ta dëmtojë edhe imazhin e Kosovës nëse beteja humbet.
Kryeparlamentari do të kthehet më pas në Kosovë pasi që të takojë Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.