Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur terminalin doganor në Merdare, përcjell InLajmi.
Sipas tij, zhvendosja e terminalit doganor është goditje e madhe për një qytet si Podujeva, që është porta kryesore që e lidh Kosovën me Evropën.
Ai shtoi se ky vendim eliminon projeksionet për Zonën Ekonomike dhe planin për ngritje ekonomike dhe punësim në Llap.
Tahiri tha se qeveri jokompetente po e pengon zhvillimin.
Gjithashtu Tahiri u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe Qeverisë, që t’i ndalojë bllokadat dhe t’i hapë rrugë zhvillimit.
Në fund deputeti ka kërkuar nga qeveritarët që të mos fshihen, por të tregojnë nëse vendimi është i përkohshëm.
Postimi i plotë i tij:
Zhvendosja e terminalit doganor nga Merdari është goditje e madhe për një zonë e qytet si Podujeva, që është porta kryesore që e lidhë Kosovën me Evropën. Për më keq, ky vendim në tërësi eliminon projeksionet për Zonën Ekonomike dhe planin për ngritje ekonomike dhe punësim në Llap.
Kjo është goditja e rradhës, nga një qeveri jo kompetente që e pengon zhvillimin. Ndërsa goditja e dyta, pas Orllanit, që tashmë është bllokuar si potenciali kryesor për zhvillim e turizëm në Llap e Gollak.
Si deputet, u bëjë thirrje gjithë kolegëve dhe Qeverisë që t’i ndalë bllokadat e t’i hapë rrugë zhvillimit. Në qoftë se vendimi është i përkohshëm dilni e tregoni, mos u fshehni! /InLajmi/