Partia Social Demokrate ka njoftuar se janë arrestuar aktivistët e saj, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça, përcjell InLajmi.
Në njoftimin e PSD-së thuhet se këto arrestime janë të paarsyeshme dhe janë bërë me dhunë.
Sipas PSD-së edhe arrestimi i kreut të saj, Dardan Molliqajt është i paligjshëm.
Në njoftimin e dhënë, PSD-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të tyre.
Postimi i plotë, i tyre:
Arrestohen dhunshëm aktivistët e PSD-së
Policia e Kosovës arreston me dhunë, grushte e me sharje aktivistët e PSD-së menjëherë pas protestës së veteranëve të UÇK-së. Pushtetit po i pengon protesta e veteranëve. Nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot.
Aparatura shtetërore është vënë në funksion të përndjekjes së opozitës. Arrestimi i Dardan Molliqajt është i paligjshëm sepse ka shkelë procedurat e kodit penal në fuqi. Arrestimi i aktivistëve të tjerë pos që nuk ka arsyetim, është bërë dhunshëm, me rrahje, kërcënime e sharje nga policia.
PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe aktivistëve Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça./InLajmi/