Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçka ka reaguar pas lajmit se është paralajmëruar për mjete shpërthyese në 72 shkolla të Kosovës si dhe në Aeroportin e Prishtinës, të cilët dolën se ishin të rreme, përcjell InLajmi.
Ministri theksoi se situata ka qenë shqetësuese gjatë ditës së sotme, duke shtuar se nga kontrollet e njësiteve relevante të Policisë së Kosovës nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes.
Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen sepse nuk ka arsye për panik. Ai u premtoi qytetarëve se Policia e Kosovës së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të mbesin të përkushtuar për të ofruar siguri qytetarëve të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Në Policinë e Kosovës sot janë dhënë informacione për mjete shpërthyese në 72 shkolla në komunat Kamenicë, Lipjan, Zveçan, Graçanicë, Skenderaj, Prizren, Prishtinë, Klinë, Viti, Rahovec, Mitrovicë e Veriut, Ranilluk, Dragash, Artanë, Shtërpcë, Partesh, Fushë Kosovë, Vushtrri, Gjilan, Zubin Potok, Istog dhe informacioni i fundit në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Njësitet relevante të Policisë së Kosovës kanë dalur menjëherë në lokacionet e lajmëruara duke bërë fillimisht rrethimin e zonave e pastaj kontrollin e detajuar të objekteve. Situata ka qenë shqetësuese sidomos kur bëhet fjalë për institucione arsimore të të gjitha moshave, por fatmirësisht, në asnjërin lokacion nuk ka pasur mjet shpërthyes. Tashmë kanë përfunduar kontrollet edhe në aeroport dhe nuk ka pasur asnjë mjet shpërthyes, puna ka vazhduar me intensitetin e njejtë.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët se nuk ka asnjë arsye për panik apo për t’u shqetësuar. Ne mbesim të përkushtuar që me të gjitha kapacitetet tona, përmes të gjithë mekanizmave tanë të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim në tërë territorin e Republikës së Kosovës. /InLajmi/