Jo të gjitha vdekjet që ndodhin në Kosovë, regjistrohen brenda afatit kohor në zyrat e regjistrimit të gjendjes civile nëpër komunat përkatëse, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Me ligj, deklarimi i vdekjes duhet të bëhet nga një pjesëtar madhor i familjes, me një raport mjekësor, brenda 30 ditësh nga vdekja.
Por, vonesat në deklarim kanë bërë që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, vetëm vitin e kaluar, të paguajë afro gjysmë milioni euro për pensione të personave të vdekur.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të publikuar këtë muaj, kjo ministri ka paguar 3,314 pensione pas vdekjes së përfitueseve, në vlerë prej mbi 465 mijë eurosh.
Juristë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se, për t’i evituar vonesat në lajmërimin e vdekjeve, duhet digjitalizuar sistemin e regjistrimit midis institucioneve shëndetësore dhe zyrave komunale të regjistrimit civil.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë nuk janë përgjigjur pyetjes nëse kanë ndonjë sistem elektronik, ku regjistrojnë personat e vdekur në spital.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ndërkaq, thonë se nëse personi vdes në ndonjërin prej reparteve të këtij institucioni, QKUK-ja i plotëson disa formularë, që dorëzohen edhe në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.
“Faqja e parë e formularit i bashkëngjitet historisë së pacientit, e cila mbetet në klinikën përkatëse. Faqja e 2-të është për ASK-në dhe faqja e tretë për komunën përkatëse. Këto 2 faqe të formularit, pas një periudhe kohore, ASK-ja i merr nga QKUK-ja dhe njërën prej tyre e dërgon në komunë, tjetrën e mban për vete”.
“Ndërkohë, faqja e katërt, pasi të vdesë pacienti, bashkë me fletëvdekjen dhe fletëlëshimin [nga spitali] i takon familjarit”, sqarojnë nga QKUK-ja për REL-in, por pa dhënë detaje nëse kanë ndonjë sistem elektronik ku regjistrohen të vdekurit.
Zyrtarët e Komunës së Drenasit, në pjesën qendrore të Kosovës, konfirmojnë se nuk ka ndonjë bazë të përbashkët të të dhënash midis institucioneve shëndetësore dhe zyrave komunale.