Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka marrë masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e çmimeve pas heqjes së marzhës tregtare dhe Tatimit të Vlerës së Shtuar për produktet bazë, por edhe për artikujt tjerë, përfshirë edhe derivatet e naftës.
Pas shfuqizimit të masave më 31 maj, vaji ka shënuar një rritje deri më 40 centë apo 25 denarë, buka për 20 centë, ndërsa rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe qumështi, sheqeri, mishi, e shumë prodhime tjera.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, shpenzimet mujore për një familje prej katër anëtarëve janë më të larta për 4,600 denarë apo 75 euro në krahasim me vitin e kaluar.
“Inflacioni ka shënuar rritje të madhe, mes 20 dhe 30 %. Nëse më parë disa gjëra ushqimore i blija me 500 denarë (afër 9 euro) tani për të njëjtat duhet të shpenzoj 800 denarë (apo 13 euro)”, thotë Florina Temelis, pensioniste.
“Gjithçka është shtrenjtuar,p.sh. buka ishte 25, pastaj u bë 30, ndërsa tani 40 denarë (0.65 centë). Disa lloje të bukës kanë arritur edhe në 60 denarë apo një euro. Janë shtrenjtuar edhe artikujt tjerë. Rritje të tillë të çmimeve nuk mbahet mend të ketë pasur ndonjëherë” , thotë Miodrag Mitiq, banor i Shkupit.
- Rritet shkalla varfërisë në Maqedoninë e Veriut
Me rritjen e çmimeve pas heqjes së masave ishin “befasuar” edhe drejtuesit e Qeverisë, duke paralajmëruar kontrolle në treg dhe markete.
“Nuk mund të pranojmë që disa kompani të punojnë dhe të shesin me ndërgjegje, e disa të keqpërdorin me çmime. Ka kompani që shesin me marzhë prej zero për qind produkte, por ka të tjera që shesin me fitim prej 60 deri 70 % të përfituar në kohë krize. Kjo është e patolerueshme, andaj edhe do të ketë kontrolle në terren ”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi.

- Inflacion dyshifror dhe rritje çmimesh në Maqedoninë e Veriut
- Inflacioni në rritje, ekonomia në rënie
Nga Qeveria kanë bërë të ditur se së shpejti do të vendosin nëse do të ndërhyjnë në çmime, por pasi të analizojnë nëse rezulton se ka manipulime nga tregtarë të caktuar.
“Nëse ata nuk i kthejnë çmimet sipas një marzhi normal të prodhimit, atëherë Qeveria do të ndërhyjë që pasojat të mos i ndjejnë konsumatorët. Por, shteti mund të ndikojë vetëm në prodhimet vendase, të cilat pasohen nga çmimet e inputeve të lëndëve të para dhe çmimet e prodhimit, ndërsa te produktet e importuara nuk mund të ndikohen, përveç sa i përket detyrimeve”, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë, shkruan REL.
Ndërkohë, Inspektorati i Shtetëror i Tregut akoma nuk ka dalë në terren për t’i monitoruar çmimet dhe keqpërdorimet e mundshme nga tregtarët, edhe pse kjo ishte paralajmëruar që më 1 qershor kur nisën shtrenjtimet e produkteve ushqimore.