Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 11 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kryeqytetit, raporton InLajmi.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se 23 vjet më parë Prishtinës iu kthye shpresa për lirinë.
Rama tha se 11 qershori po e shënon fundin e bombardimeve të NATO-së në Kosovë ku mijëra gra e burra dhe fëmijë sakrifikuan jetën e tyre për liri.
“Jemi mbledhur këtu për ditën e çlirimit të Prishtinës. Sot 23 vjet më parë Prishtinës iu kthye shpresa për lirinë. Kjo ditë shënon fundin e bombardimeve të NATO në Kosovë sepse mijëra gra e burra e fëmijë sakrifikuan jetën e tyre për liri. Falë tyre sot e gëzojmë atë ëndërr në vendin tonë. Falë tyre 11 qershori është bërë simbol i shpresës. Në këtë kapitull të ri është radha jonë të nderojmë veprën e atyre që sakrifikuan për liri. Jemi ne ata që kemi shumë punë për të bërë. Sot u përulemi dëshmorëve të rënë dhe familjarëve të tyre. U përulemi qytetarëve të dëbuar. Le ta kujtojmë 11 qershorin që të punojmë për brezat që po vijnë”.
Tutje, kryetari tha se ndër ata që kontribuuan dhe i treguan botës me fjalë ishin edhe shumë të huaj gazetarë që sakrifica jonë të shihej botërisht. /InLajmi/