Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke i thënë se nuk po shtohet lista e mallrave të TVSH-së, siç e mundëson ligji, përcjell InLajmi.
Hoti ka thënë se është e pakuptueshme që pas shumë muajsh të rritjes së çmimeve Ministri Murati nuk po e redukton TVSH-në, për mallra.
Gjithashtu, Deputeti i LDK-së tha se dikush është dashur të tregojë Ministrit për këtë mundësi që ia ofron Ligji.
Postimi i plotë i tij:
PSE NUK PO SHTOHET LISTA E MALLRAVE ME NORMË TË REDUKTUAR TË TVSH-së PREJ 8%, SIÇ E MUNDËSON LIGJI NË FUQI?!
Neni 26 i Ligjit për TVSH, pika 2, përcakton listën e mallrave për të cilat paguhet normë e reduktuar e TVSH-së prej 8%, ku përfshihen: uji, energjia elektrike, drithërat dhe prodhimet e tyre, qumështi dhe produktet e tij, vezët, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, barnat dhe pajisjet mjekësore. Ky ligj është miratuar në vitin 2015 nga Qeveria Mustafa, si pjesë e Pakos Fiskale 1.
Ndërkaq, pika 3 e të njëjtit nen specifikon se: ”Ministri i Financave mund të nxjerr akt nën-ligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar sipas Shtojcës III të këtij ligji”. Shtojca III përmban listën e mallrave ushqimore për konsum të njeriut dhe të kafshëve, farërat, bimët, e shumë mallra të tjera, për të cilat mund të reduktohet TVSH-ja nga 18% në 8%.
Është e pakuptueshme përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, Ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet.
Dikush është dashur t’i tregojë Ministrit për këtë mundësi që ia ofron Ligji në fuqi për TVSH!!! /InLajmi/