Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ka bërë të ditur se ai ka kërk uar që Serbia t’i bashkohet sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së kundër Rusisë.
Ai tha se Scholz këtë e kërkoi në mënyrë të vendosur, teksa shtoi se diskutuan për situatën politike në botë.
“Ne diskutuam situatën politike në botë dhe Scholz i kërkoi Serbisë në një mënyrë shumë të vendosur, të qartë dhe të mprehtë që t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, domethënë të mbështesë masat kufizuese që BE-ja tashmë ka miratuar kundër Rusisë”, është shprehur Vuçiq,
Tutje, Vuçiq tha se u befasua nga kancelari Scholz i cili tha shumë qartë që Serbia s’mund të jetë pjesë e BE-së pa e njohur Kosovën.
Lideri serb tha se askush në Evropë s’ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, shkruan Tanjug.
“Askush në Evropë nuk ka folur ndonjëherë për njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës. Këtë e dëgjuam për herë të parë sot në një konferencë shtypi në Prishtinë, është një surprizë e madhe për ne”, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se kancelari gjerman Olaf Scholz vizitën në Ballkanin Perëndimor e nisi në Kosovë ku gjatë ditës u takua me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, teksa tha se është e paimagjinueshme se Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të BE-së pa e njohur njëra-tjetrën dhe se përfundimi i dialogut duhet të jetë me njohje reciproke.