Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e një vendimi i cili i rregullon çmimet e naftës në tregun vendor, po shihet si ndërhyrje e gabuar nga ekonomistët. Sipas tyre, Kosova është vend demokratik i orientuar drejt ekonomisë së tregut, ku s’mund të bëhen ndërhyrje të tilla nga shteti. Për të dalë nga kjo situatë e krijuar, ata vlerësojnë se zgjidhja e vetme është ngrirja e akcizës.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu deklaroi se ngrirja e akcizës duhet të bëhet për një periudhë prej 3 deri në 6 muaj.
Ai tha se kjo metodologji e përdorur nga shtetet si: Gjermania, Kroacia e Mali i Zi, ka dhënë efekte pozitive. Ndaj, shtoi se Kosova duhet të ndjek shembuj të tillë.
“Zgjidhja për të dalë nga kjo situatë është vetëm një: të ngrihet akciza në import, për 3-6 muaj, jo të hiqet tërësisht, po vetëm të ngrihet. Këtë metodologji e ka përdorur Gjermania. E kanë përdorur Kroacia dhe Mali i zi. Pse mos ta përdorim edhe ne? Ngrirja e akcizës është zgjidhja më e mirë, sepse qytetarët paguajnë naftë 36 cent më lirë se tani”, u shpreh Gërxhaliu.
Ai tutje shtoi se situata në Kosovë po rëndohet shumë dhe se po mungon një dialog i mirëfilltë publiko-privat.
“Si pasojë, kemi acarim të situatës. Nuk duhet të humbet kohë. Qeveria krenohet me rritjen e të hyrave në buxhet e kjo po ndodh për shkak të rritjes së çmimeve. Prandaj, është koha kur duhet të kemi maturi, sepse çmimet janë të papërballueshme”, deklaroi Gërxhaliu.
“Druaj që do të kemi biznese të mbyllura dhe transport të paralizuar. Kosova është shtet demokratik dhe ekonomia e tregut është dominonte e në këtë të fundit s’ka diktat të tillë qeveritar”.
Se duhet të ketë ngrirje apo lirim të akcizës mendon edhe njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj.
Ai tha se Qeveria “duhet t’i bëjë thirrje vetvetes” sepse nuk duhet t’i ngarkojë bizneset.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi të mërkurën se është duke punuar për për nxjerrjen e një vendimi të ri i cili i rregullon çmimet e naftës në treg. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse, shkruan Telegrafi.
Sipas raportimeve në media, ligji i ri parasheh kufizime në fitimet e naftëtarëve.