Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova duhet të bëhet pjesë e “Open Ballkan”, pasi sipas tij vendi ynë nuk guxon të hezitojë dhe të paragjykojë rrugën e integrimit euroatlantik të mbështetur nga SHBA-ja, përcjell InLajmi.
Ai thotë se është koha e duhur që Kosova të jetë pjesë e “Open Ballkanit”, duke theksuar se në këtë nismë janë pjesëmarrës 3 kryeministra shqiptarë, e që sipas tij aty mund të mirren shumë vendime në favor të Kosovës.
Pacolli thotë se dëshiron ta shohë Kosovën në një klub me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, të mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja.
Tutje kreu i AKR-së theksoi se Kosova duhet të jetë aty ku flitet për urat, integrimet dhe për ardhmërinë evropiane.
Pacolli shtoi se nëse Kosova vëren që në këtë nismë po bëhet diçka në dëm të saj patjetër që mund të tërhiqet, mirëpo sipas tij izolimi i duhet më së paku Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Sot në Ohër edhe Mali i Zi u bë pjesë e Open Balkan, ndërsa edhe Bosnja ishte aty në cilësinë e vëzhguesit.
Dua ta shoh edhe Kosovën në një klub me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, të mbështetur fuqishëm nga SHBA. Është koha e duhur (kemi 3 Kryeministra shqiptar), aty mund të mirën vendime vetëm në favor të Kosovës, mos u frikësoni!
Anglia ishte themeluese e Unionit Europian dhe atëherë kur ajo e vleresoi doli nga ky union. Edhe Kosova mund ta bëjë këtë nëse vëren që aty kërkohet te bëhet diçka që shkon në dëm të Kosovës.
Kosova nuk guxon të hezitoj dhe të paragjykoi në rrugën e integrimit euroatlantik të mbështetur nga SHBA. Ajo duhet të jetë aty ku flitet për urat, për integrimet dhe për ardhmërinë evropiane.
Izolimi i duhet më së paku Kosovës (Edhe Bledi e Berlini i fundit nuk shkuan në favor te Kosovës). Nuk ka nevojë të frikësohemi nga vendi ku flitet për sfidat! /InLajmi/