Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha, ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas deklaratave të fundit, përcjell InLajmi.
Berisha ka thënë se Kurti nuk kishte lënë gur pa lëvizur për të ardhur në këtë pushtet e tash po e refuzon për t’u marrë me qeverisjen e Kosovës.
Gjithashtu ai tha se Kryeministri Kosovën është duke e dëmtuar çdo ditë.
Postimi i plotë i tij:
Deklarata qendërzuese e Albin Kurtit pas takimit me Sekretaren e Jashtme, Liz Truss, me të cilën “ është pajtuar që të merr masa shtesë kundër Rusisë…” të lë përshtypjen se është fjala për Kosovën si një fuqi ekonomike anëtare e G7 dhe fuqi ushtarake anëtare e NATO-s; pëderisa nga deklarata e zyrtarës britaneze, me një lexim të kujdesshëm nënkuptohet gaditshmëria e MB për të përkrahur Kosovën në raportet bilaterale por edhe në efektet eventuale destabilizuese ruse në Ballkanin Perendimor.
Ky djalë, që nuk ka lënë gurë pa lëvizur dhe nuk ka lënë kënd pa gjuajtur me gurë, për të ardhur në pushtet, tash nga pozita e kryeministrit refuzon deri në sabotim për t’u marrë me qeverisjen e vendit të vet në përmasat dhe me problemet reale të saj, e që janë të shumta, dhe në virtualitetin e qeverisjes dhe gjendjes si pjellë e imagjinatës së tij luan rolin e një ligjëruesi dhe kryeministri me peshë globale.
E përkthyer në realitet, ai Kosovën është duke e dëmtuar për çdo ditë përderisa vetes është duke ia plotësuar, siç e tha një deputet i tij, ëndrrat e dëshirat personale hiç më pak se nga pozita e kryeministrit.m
E përderisa ai është duke bredhur në dynja prej katedre në katedër, që vendin e vet, të cilin nga pozita e opozitarit e paraqiste të shkatërruar për 20 vjet, e nga pozita e qeveritarit e ligjeron si storie suksesi, vartësit e tij në Kosovë janë duke bërë kërdinë në buxhetin e Kosovës ndërsa ritmi i rritjes së çmimeve është i bërë tmerri i qytetarit kosovar. /InLajmi/