Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha është arrestuar sot nga policia pasi që sipas policisë i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë të cilët i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje në trafik.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë për lajmi.net se Berisha ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të cilët i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje, andaj i njëjti është shoqëruar në stacionin policor.
Në anën tjetër, këto raportime i ka mohuar ish-deputeti dhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha.
Ai ka thënë se nuk ka penguar asnjë zyrtar policorë, por ka thënë se policët kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj tij.
“Nuk është e vërtetë që kam penguar ndonjë zyrtar policor, por për disa ditë rresht dikush nga Policia para Shoqatës së Veteranëve më vendos tiketë denimi për parking edhe pse dhjetëra vetura tjera të parkuara nëpër parking e trotuare e më keq se e imja ishin të parkuara dhe nuk kishin tiketa dënimi. Tipin në fjalë nuk e njoh por veprimet e tij më bëjnë të dyshoj se kanë qenë provokuese dhe me qëllim për të cilin pres përmes organeve të drejtësisë ta sqaroj sepse si kam borxh me ardhe me m’çit gaz pa arsye”, tha Berisha për T7.
Ai ka thënë se ka rënë pre e provokimit të zyrtarit policor, të cilin e ka cilësuar si “viktimë” të propagandës që bëhet ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Kjo është një gënjeshtër e pastër, unë jam mësuar me pallavra të kësaj natyre, natyrisht që unë kam rënë pre e një provokimi të një viktime të propagandës që bëhet ndaj njerëzve të ish- UÇK-së dhe nuk e kam as idenë se çka ka ndodhur. Unë prita me ma shkru tiketën dhe e gjuajta nën makinë. Faktikisht kjo ishte e gjitha, gazi lotsjellës e me radhë.”, ka thënë ai.
Berisha ka konfirmuar se gjendet ende në stacionin policor.
 
 
 
  
 















