Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka njoftuar se çfarë është diskutuar në Komisioni Parlamentar për Legjislacion, përcjell InLajmi.
Sipas Tahirit zëvendësministrat nuk duhet të kenë të drejtë për të votuar në mbledhjet e qeverisë.
Postimi i plotë, i tij:
Ligji për Qeverinë dhe Raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsionit u trajtuan sot në Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Janë 2 tema me rëndësi:
Për Ligjin për Qeverinë, e konfirmova mbështetjen me 2 kundërshtime: zëvendësministrat nuk duhet të kenë të drejtë për të votuar në mbledhjet e qeverisë. Kushtetuta jonë e përcakton që pjesë e kabinetit janë: kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.
Kundërshtimi i 2-të lidhet me afatin kohor 30 ditor për përgjigje nga qeveria për qytetarët që kanë kërkesa me shkrim.
Ndërkaq, tek raportimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ngrita 3 çështje, por më e rëndësishmja ishte ajo që ndërlidhet me zbatimin e ligjit të ri dhe me kapacitetet absorbuese të kësaj agjencie për ta funksionalizuar. Tanimë një listë të gjerë të mbi 20 mijë zyrtarëve publikë të cilët do duhej të deklarojnë pasurinë. Për këtë temë kërkova një raport të veçantë për të treguar procesin e zbatimit të këtij ligji dhe buxhetin e nevojshëm që si komision duhet ta diskutojmë./InLajmi/