Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali, përcjell InLajmi.
Ministrja Nagavci dhe Vakali gjatë takimit kanë biseduar për një mundësi konkrete të bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit, përfshirë edhe thellimin e bashkëpunimit mes universiteteve publike të Kosovës dhe të Greqisë.
Gjithashtu, Nagavci ka theksuar se bashkëpunimi i ndërsjellë dhe thellimi i këtij bashkëpunimi me shtetin grek është i rëndësishëm për t’ju dhënë mundësinë të rinjve të 2-ja vendeve që të njihen dhe të bashkëpunojnë.
Postimi i plotë i saj:
Prita në takim njoftues Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali.
I shpreha mirëseardhje dhe e urova për detyrën e re, ambasadoren Vakali dhe përcolla gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të 2 vendeve në projekte të ndryshme me interes të përbashkët.
Rëndësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, mbështetja për proceset e integrimit evropian dhe euroatlantik, thellimi i bashkëpunimit me universitetet greke, ishin disa nga zotimet se do të angazhohemi së bashku në mënyrë që të ofrohen mundësi për bashkëpunim të studentëve tanë me universitete në Greqi.
Vakali, shprehu gatishmërinë që të punojmë së bashku për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve 2 palëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, posaçërisht në projektet e përbashkëta në arsim. /InLajmi/