Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka mbajtur konferencë për media ku e ka prezantuar anëtarin më të ri të kësaj partie ekonomistin, Arben Mustafa, raporton InLajmi.
“Që vizioni ynë ekonomik e zhvillimor të jetësohet, pa dyshim që na duhet një menaxhim dhe shpërndarje e mirë e buxhetit dhe parasë publike, dhe hartim i politikave të duhura fiskale, të cilat krijojnë kushtet për stabilitet financiar dhe rritje ekonomike. Këtë objektiv do ta përmbushim përmes Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë. Kam kënaqësinë sot që të prezantoj koordinatorin e këtij departamenti, profesorin e dalluar të ekonomisë, Arben Mustafa, i cili me një bagazh të gjerë profesional e intelektual, në bashkëpunim me ekipin e tonë të ekspertëve, do të na ndihmojë në ofrimin e alternativës sonë për sektorin e financave, që është një ndër pikat më me prioritet për KQM-në.”, tha ai.
Krasniqi ka thënë se Mustafa ka një bagazh të gjerë profesional e intelektual me të cilën do sjellë bashkëpunim sipas tij në ekipin e ekspertëve të partisë që ai udhëheq.
Kryetari i PDK-së është duke prezantuar planin e tij për “Qeverisje të mirë”./InLajmi/