Deputeti, Ramush Haradinaj ka arritur të marrë edhe një mandat si kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kjo pasi fitoi përkrahjen e pothuajse të të gjithë anëtarëve të partisë, përcjell InLajmi.
Haradinaj u shpreh i lumtur, që mori besimin e të gjithë delegatëve të Kuvendit IX Zgjedhor të AAK-së edhe për për 4 vitet e ardhshme.
Kreu i AAK-së theksoi se gjatë kësaj mbledhje u morën edhe disa vendime të rëndësishme, që sipas tij do të kenë efekt të jashtëzakonshëm në jetën politike, jo vetëm të Aleancës.
Sipas tij, si përgjigje më e mirë e Aleancës ndaj oportunistëve dhe popullistëve në skenën politike do të jetë mobilizimi dhe depërtimi i AAK-së në çdo vendbanim të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Delegatë të Kuvendit të IX Zgjedhor të AAK-së. Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe votën plebishitare që ta udhëheq Aleancën edhe për katër vitet e ardhshme.
I lumtur që në këtë kuvend, u morën disa vendime shumë të rëndësishme që do të kenë efekt të jashtëzakonshëm në jetën politike, jo vetëm të Aleancës.
Asociacioni i komunave të Aleancës, depërtimi i organizimit tonë në çdo vendbanim të Kosovës dhe trupat e ekspertëve në fushat më të rëndësishme, janë përgjigja më e mirë e Aleancës ndaj oportunistëve dhe popullistëve në skenën politike të këtij vendi.
Jam jashtëzakonisht i kënaqur me frymën e unitetit që sot e pashë në Kuvendin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Aleancë, na priftë e mbara! /InLajmi/

















