Shefi parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar për rregulloren e re, që do të forcohet llogaridhënia në 2 nivele, përcjell InLajmi.
Lidhur me këto nivele ai tha se janë në raport me funksionimin e Kuvendit dhe trupave të tij dhe në rritjen e llogaridhënies së institucioneve dhe agjencive të pavarura karshi Kuvendit.
Tahiri tha se në diskutim për Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka kërkuar largimin e nenit që e lejon votimin e zëvendësministrave në mbledhjet e Qeverisë.
Postimi i plotë i tij:
Java që po e lëmë pas, në Kuvend ishte dinamike, por me rezultate të dukshme. Në Komisionin Parlamentar për Legjislacion prezantova 2 ligje të rëndësishme anti-korrupsion që i kam kryesuar: Projektligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Projektligjin për Deklarimin dhe Projektligjin për Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.
Ndërsa, në Komisionin për Administratë Publike diskutuam për Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ky draftligj përmban strukturën dhe në përgjithësi përmbajtjen që unë e kam dorëzuar në Qeveri dhe në Komisionin e Venecias. Shtrova kërkesat për ndryshim që lidhet me llogaridhënie dhe transparencë në afate kohore, si dhe largimin e nenit që e lejon votimin e zëvendësministrave në mbledhjet e Qeverisë, pasi që kjo është anti kushtetuese.
Rregullorja e re e Punës së Kuvendit u përfundua! Kjo rregullore, për 10 vjet rresht nuk ka arritur të miratohet. Rregullorja e re forcon llogaridhënien në dy nivele: në raport me funksionimin e Kuvendit dhe trupave të tij; dhe në rritjen e llogaridhënies së institucioneve/agjencive të pavarura karshi Kuvendit.
Faleminderit stafit mbështetës të Kuvendit, shoqërisë civile dhe Institutit Demokratik Amerikan (NDI), FES Prishtina për mbështetjen e tyre në jetësimin e Rregullores së Punës së Kuvendit. /InLajmi/