Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se së shpejti do t’i publikojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara gjatë kohës sa ishte kryeministër, për të treguar se ato po neglizhohen nga Qeveria e Kosovës, si dhe për të shpërfaqur pasojat që mund të ketë vendi ynë nga kjo neglizhencë, përcjell InLajmi.
Hoti ka bërë një krahasim ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, duke thënë se ajo po arrin të ketë një partneritet strategjik me SHBA-të, ndërsa qeveria e tanishme e vendit tonë po e neglizhon “Marrëveshjen e Washingtonit”, që sipas tij është tejet e rëndësishme për partneritetin me SHBA-të.
Depueteti ka kërkuar llogari nga Qeveria e Kosovës se pse të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë marrëveshjen për lidhjen e hekurudhës me Kosovës dhe Shqipërisë, marrëveshjen me MCC-në për energji, marrëveshjen me SHBA-të për investime e disa të tjera të arritura nga Qeveria Hoti po neglizohen me të madhe.
Postimi i plotë i tij:
Maqedonia e Veriut diskuton partneritetin strategjik me ShBA. Kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin. E përgëzoj Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut për këtë arritje.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e neglizhon Marrëveshjen e Uashingtonin të 4 shtatorit 2020, që është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.
Pyetjet themelore janë:
- Pse po neglizhohet kjo marrëveshje?
- Pse po neglizhohet studimi i fizibilitetit për të lidhur Prishtinën me hekurudhë në Portin e Adriatikut?
- Pse po neglizhohet mundësia për qasje në financim për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në tregjet financiare amerikane?
- Pse po neglizhohet mundësia për projekte bilaterale?
- Pse po neglizhohet zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-ShBA për Insentiva në Investime, e nënshkruar më 31 dhjetor 2020 nga Qeveria Hoti?
- Pse u shty për më shumë se një vit marrëveshja me MCC për energji, ku përfshihej rrjeti i gazit dhe bateritë për ruajtje të energjisë, e në fund prapë u pajtuan për bateritë?
Në ditën në vijim do t’i publikoj të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria Hoti me SHBA, të cilat po neglizhohen, si dhe pasojat për Kosovën. /InLajmi/