Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, pati vizitë zyrtare në Greqi. Në Athinë ai pati takime me zyrtarë të lartë të këtij shteti. Përveç tjerash, mbajti edhe një fjalim në Parlamentin e Greqisë.
Pikërisht për këtë vizitë dhe rëndësinë e saj, në një shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ka folur Konjufca.
Kryeparlamentari, sapo ka përfunduar vizitën e tij treditore në Greqi. Është vizita e parë e një kryekuvendari në vizitë në një shtet, që ende nuk na ka njohur, pra Greqinë.
Konjufca: Greqia ka një qasje më pozitive ndaj Kosovës
RTK: kryetar, si kaloi kjo vizitë në Greqi?
Konjufca: Mendoj se ishte një vizitë e rëndësishme, e frytshme për Republikën e Kosovës. Siç e dini kjo është një nismë rajonale, është pra, Asambleja e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Kosova është pjesë e saj dhe mundohet që ta japë kontributin e vet duke marrë pjesë edhe në komitetet të cilat janë organe shumë të rëndësishme të kësaj asambleje, po ashtu edhe në Komitetin e saj Qendror, por kësaj radhe isha i ftuar nga kryetari Parlamentit helenik dhe njëkohësisht edhe udhëheqës për këtë vit i kësaj asambleje të rëndësishme. Fillimisht i shpreha mirënjohjen tonë për përkrahjen Republikës së Kosovës nga ana e Greqisë, në procese të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe në aspiratat tona që i kemi, duke filluar prej bashkëngjitjes në BE e pastaj edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por po ashtu edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por edhe, siç e dini edhe ju, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KE dhe ne duhet të takohemi me çdo shtet anëtare të KE-së, jo vetëm me ato shtete që na kanë njohur, por edhe me ato që nuk na kanë njohur. Siç e dini Greqia është në mesin e shteteve që ende nuk na ka njohur brenda shteteve mosnjohëse të BE-së. Por për dallim nga ato shtete që nuk na kanë njohur, Greqia ka një qasje më pozitive, meqë njeh pasaportat, njeh shtetësinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, po ashtu ka pasur një mori vizitash të rëndësishme të figurave të larta shtetërore që kanë vizituar Kosovës. Vlen të përmendim vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Dendias, i cili ka vizituar Kosovën, por pritet që së shpejti ta vizitojë vendin tonë. Pra të gjitha këto pritjet, vizitat janë shtetërore, marrëdhëniet janë shtetërore, pastaj, po ashtu , zyra jonë këtu në Greqi që ishte zyrë ekonomike, tani ka ngritur statusin e vet në një zyrë të mbrojtjes së interesave të Republikës së Kosovës. Ne vizituam ambientet e reja të kësaj zyreje, ku na priti ambasadori Gllareva, i cili po bën punën e duhur që institucionet tona të jenë sa ma afër dhe më bashkëpunuese me institucionet e Greqisë, në mënyrë që kjo të finalizohet me njohjen e shteti të Kosovës nga shteti grek.
RTK: Kryetar Konjufca, gjatë takimit në mjediset e Parlamentit helen, ju morët një dhuratë nga homologu i juaj, ishte një afërsi më e shprehur ndaj jush?
Konjufca: Në një darkë të mbrëmshme që patëm me presidentin Tasulas, faktikisht aty shkëmbyem disa mendime lidhur me relacionet që kemi mes të 2 vendeve tona, ku mes tjerash, folëm edhe për aspekte të tjera sikundër flitet në një bisedë që është e karakterit më të lirë, me ç’rast folëm për kulturën e Greqisë, për kulturën që ka pasur për idetë dhe konceptet që nga antikiteti, të cilat janë bazament të qytetërimit perëndimor, por edhe sa i përket koncepteve dhe ideve intelektuale, që janë të rëndësishme për dijet humane e po ashtu edhe për kulturën në përgjithësi. Mes tjerash, presidenti më pyeti edhe për preferencat e mia lidhur me letërsinë, filozofinë greke etj. Dhe kur i tregova preferencat e mira lidhur me letërsinë dhe filozofinë, ai ma dhuroi një libër të poetit grek Seferis, që për mua ka një vlerë të çmuar, si një dhuratë e dhënë nga presidenti i Parlamentit grek.
RTK: A ka një përafrim të njohjes së greqisë ndaj shtetit të Kosovës, pro edhe një mbështetje sa i përket në liberalizimin e vizave, keni vërejtur ndonjë ndryshim, ne fakt a ka pasur ndonjë ndryshim?
Konjufca: Greqia kurrë nuk ka pasur ndonjë pengesë që ka vendosur sa i përket liberalizimin e vizave për Kosovën, pra sa i përket regjimit të vizave, regjimit “Shengen” sikundër kemi, ka p[asur shtete që kanë qenë më mospajtuese dhe më skeptike sa i përket dhënies së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Greqia kurrë nuk ka qenë në mesin e atyre shteteve që kanë vepruar kështu dhe ka përkrahur deklarativisht kudo që është paraqitur nevoja për këtë çështje, në çdo forum të rëndësishëm ndërkombëtar ku i jepet mundësia dhe ku i kërkohet që të shprehet për këtë çështje. Kështu që edhe kësaj radhe ne morëm premtimin tonë , mirëpo ky do të jetë edhe një konsensus edhe në mes shteteve të mëdhaja e të fuqishme të BE-së, siç janë: Gjermania, Franca, si dhe shtetet e tjera si Italia e të tjera, në mënyrë që më në fund qytetarët e Kosovës ta marrin atë që nuk është kurrfarë dhurate, por një prej të drejtave më elementare njerëzore. Jemi shteti i vetëm në Evropë që kmei mbetur pa liberalizim të vizave, përderisa edhe shtetet e tjera përtej oqeanit kanë mundësi qytetarët e atyre vendeve të lëvizin lirshëm në të gjitha shtete që i takojnë regjimit të “Shengenit”. Mirëpo, sa i përket relacioneve ndërshtetërore ne me Greqinë kemi gjithçka përpos formalizimit të njohjeve, pra nëse shikojmë se si ata pranojnë edhe institucionet edhe përfaqësuesit shtetëror ma të rëndësishëm të shtetit grek të vijnë të na vizitojnë dhe ne i presim me pritje shtetërore, me të gjitha procedurat që i kërkon pritja shtetërore dhe këtë nuk e kanë problem si përfaqësues të institucioneve të Greqisë, në anën tjetër ne kemi zyrën tonë, që quhet zyre, por në çdo aspekt funksionon si ambasadë, përveç se nuk quhet ambasadë, pastaj kjo implikon edhe pasojat tjera, por, edhe ata e kanë përfaqësuesin e tyre në Kosovë, që ndonëse ata nuk e quajnë ambasadorë, ne e konsiderojmë si të tillë, për shkak se një ditë do të realizohet kjo çështje, pra do të bëhemi me ambasada. Pra përmes thellimit të bashkëpunimit ne përpiqemi të vijmë deri te hapi i fundit që është faktikisht, njohja formale e Republikës së Kosovës nga ana e Greqisë. Dhe nga vizita që kemi këtu, pritja nga presidenti Tasulas, faktikisht jam bindur se njohja nuk është shumë e largët.
Liberalizimi i vizave, Konjufca: Do t’i bindim shtetet skeptike
RTK: Pas kësaj vizite, Kryetar a keni ndonjë plan të angazhoheni sa i përket liberalizimit të vizave, Ju, si kryetar i Kuvendit me grupet parlamentare për të lobuar te shtetet të cilat kanë shprehur skepticizmin e tyre ndaj Kosovës?
Konjufca: Institucionet tona do të jenë shumë aktive, në takime më të shpeshta me çdo shtet i cili pritet që të vendosë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Dhe mendoj se prej të gjitha shteteve, sidomos Franca është me rëndësi që të kemi aktivitete të përbashkëta me shtetin francez, por edhe me Holandën, në mënyrë që të sigurohemi që çdo shtet i cili mund të ketë pakënaqësi apo një lloj dyshimi sa i përket nevojave të qytetarëve të Kosovës që të qarkullojnë të lirë, ne do të ulemi dhe do të bisedojmë në mënyrë miqësore dhe t’i bindim se kjo nuk do të ketë kurrfarë pasojash për shtetet e tyre. Pra në aspektin e sigurisë, kjo nuk do të kishte kurrfarë problemi tek asnjë shtet, nuk do të kishte arsye për ndonjë frike për lejimin e qarkullimit të qytetarëve të Kosovës qoftë në Francë, Holandë a gjetiu në vendet e bllokut Shengen.
Mendoj se këtë punë po e bëjmë vazhdimisht, por nuk e përjashtoj mundësinë që të shkojmë edhe në formë delegacionesh pse jo edhe nga Kuvendi i Kosovës, sado që mendoj se edhe Presidenca edhe Qeveria po e bëjnë një punë të tillë, por pse jo edhe Komisioni për Punë të Jashtme të mos e bëjë një punë të tillë, meqë ka këtë kompetencë që të japim kontributin tonë, që t’i bindim vendet që janë të rëndësishme në BE, të mos pengojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Konjufca: Vendimi i Gjykatës Speciale për Haradinaj e Gucatin, i padrejtë
RTK: Kur përmendët Holandën, natyrisht që do ta përmendëm edhe Hagën. Keni menduar që të vizitoni udhëheqësit më të lartë të UÇK-së që po mbahen në Hagë dhe e keni komentuar vendimin e Gjykatës lidhur me z. Haradinajn dhe z. Gucati, pasi është shqiptuar dënimi me 4 vjet e gjysmë?
Konjufca: E para, mendoj se do ta bëj shumë shpejt këtë gjë, pra do ta realizoj një vizitë atje, kurse sa i përket kësaj pjesës së 2-të, ndonëse na kërkohet që të mos i komentojmë asesi vendimet e gjykatave, si përfaqësues të lartë të institucioneve nuk kam se si të mos e them se isha i befasuar për të keq me këtë vendim të Gjykatës Speciale për zotin Haradinaj e zotin Gucati, me qenë se kjo i takon procedurave gjyqësore hyn në kategorinë e ofendimit të gjykatës, veprime që kanë sfiduar funksionaliteti e gjykatës. Unë me sa kam njohuri prej procedurave të gjykatave evropiane, për veprimtari të tilla çdo dënim mbi 6 muaj lë një shije të keqe dhe lë një surprizë shumë negative. Kështu u ndjeva kur pashë vendimin e GjS për z. Haradinaj e z. Gucati dhe nuk duhet të ndjehemi të turpëruar për ta thënë këtë edhe si institucione. Pra ishte një vendim që ndonëse nuk mund ta kthejmë prapa, se nuk kemi kurrfarë ndikimi në GjS, megjithatë duhet ta shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me diçka që perceptimin tim, m’u duk krejtësisht i padrejtë , sepse nuk ka të bëjë me substancën, me aktakuzën që ka GjS, por me kategorinë e rrjedhjes së dokumenteve apo të ofendimit apo siç quhet “Cort Contempt” dhe në raste të tilla nuk jepen dënime kaq drakonike. Por besoj fort se Apeli do ta rrëzojë këtë vendim
Konufca për ish-krerët e UÇK-së: GjS po i mban të izoluar
RTK: Ish-kryetari i Kuvendit, njëherit ish-kryetari i PDK-së, z. Veseli, për edhe ish-presidenti z. Hashim Thaçi kishin refuzuar vizitën e ministres së Drejtësisë, a mendoni se do të refuzoheni edhe Ju apo keni ulur gjakrat si ish-kundërshtarë politikë?
Konnjufca: Në relacionet tona, ne nuk mund të jemi peng i grindjeve tona që kemi patur rreth politikave shtëpiake që kanë pasur të bëjnë me Republikën e Kosovës në të kaluarën. Qoftë ata që ishin dikur në funksione udhëheqëse të shtetit, qoftë ne tani që jemi në krye të institucioneve për shkak të vullnetit të popullit, duhet të udhëhiqemi vetëm nga një princip: ne jemi një popull, ne kemi interesa të përbashkëta dhe në interesa të përbashkëta nuk mund të na përçajë askush. Aq më pak Serbia me GjS e edhe me raportin e Dik Martit (Dick Marty). Pra ne duhet të jemi të bashkuar sikur gishtat e dorës për shkak se sfida kemi pasur shumë edhe në të kaluarën, por sidomos prej shkurtit të këtij viti mendoj se janë dyfishuar sfidat edhe për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë e edhe të krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar, pra duhet të jemi më vigjilentë dhe nuk kemi komoditetin që për shkak të rrjedhave të politikave në vitet e kaluara tashti të jemi peng i të kaluarës.
Konjufca: Tash jemi në një pozicion të vështirë si Kosovë në këtë gjykatë, sepse është vënë para Gjykate struktura kryesore e Shtabit të Përgjithshëm. Këtë gjykatë që nga fillimi e kam konsideruar si të padrejtë dhe kështu do ta quaj gjithmonë dhe derisa po veprohet kështu ndaj krerëve të UÇK-s nga Gjykata, nuk kam se si ta quaj ndryshe përpos si përpjekje për izolim të tyre, përderisa tani po mbushen 2 vjet që janë të burgosur dhe tani po shtojnë aktakuza të tjera dhe njëherazi të mos ia lejosh mbrojtjes qasjen në të gjitha materialet e aktakuzës nga ana e Prokurorisë, kjo, mendoj, i kontribuon vetëm një procesi që le të quhet si të dojë, por një gjë dihet se jemi në 2- vjetorin e burgosjes së tyre, ata mbahen të izoluar edhe nga familjet e tyre dhe çdo gjëje tjetër dhe pse, kësaj pyetje do të duhej të përgjigjen ata që po e bëjnë këtë, sepse ata do të mund të mbroheshin në liri, mbase edhe tani do të mund të shkonin atje, e jo të burgosen me hapjen aktakuzës dhe të mbahen në burg gjatë gjithë procedurës, kjo për mua lë për të dëshiruar sa i përket normave universale dhe sa i përket të drejtave të njeriut në procedurë gjyqësore.