Antari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se statistikat e sakta të Blerand Stavilecit po pasqyrojnë një realitet nëpër të cilin po kalojnë familjet kosovare, përcjell Inlajmi.
Ismaili tha se Kosova është në një kohë kur çmimet e produkteve janë rritur ndërsa pagat nuk kanë lëvizur asnjë cent ku me prezencën e tyre po mungon edhe Qeveria.
Gjithashtu ai tha se është një periudhë më e vështira që nga viti 1999 në Kosovë dhe se kjo gjendje është emergjente dhe duhet të trajtohet.
Postimi i plotë i tij:
Analiza me numra dhe statistika të sakta e Blerand Stavilecit në Konferencë për Media, pasqyron një realitet të dhimbshëm aktual nëpër të cilin po kalojnë familjet kosovare.
Në këtë kohë kur çmimet e produkteve bazë janë rritur të gjitha, shpenzimet e qytetarëve janë shtuar ndërsa pagat nuk kanë lëvizur asnjë cent, fatkeqësisht po mungon me prezencën e saj edhe Qeveria.
Kjo Qeveri, edhe po tregohet indiferente ndaj krizës së qytetarëve, edhe e padëgjueshme ndaj alternativave tona, e, për keqardhje, edhe tallëse ndaj të gjithëve me deklarata të tipit – “Jemi mësuar ne me kriza, e kalojmë edhe këtë.”
Kjo periudhë, ekonomikisht më e vështira që nga viti 1999 në Kosovë, nuk kërkon shëtitje nëpër metropole botërore as të Kryeministrit e as të Ministrave të tij. Kjo gjendje është emergjente dhe si e tillë duhet të trajtohet.
Fillimisht, duke qëndruar në Kosovë. Së 2-ti, duke dëgjuar nevojat dhe kërkesat që vijnë nga qytetarët. Dhe, e treta, duke pranuar alternativat që ne u kemi ofruar sepse kjo situatë tejkalon vijat partiake.
Gjithçka tjetër është demagogji, kundër mirëqenies së qytetarëve dhe thellim i krizës së tyre. /InLajmi/