Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit Qëndrim Januzi, për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj.
Lajmi është konfirmuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
Kryeprokurori Jashari ka deklaruar gjithashtu se i dyshuari në këtë rast paraburgimin është duke e mbajtur në spital, ku edhe është duke u trajtuar.
“Atij i është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, ka deklaruar Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.
Ndryshe nata e së premtes ishte tragjike për qytetin e Ferizajt, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbi jetën 30 vjeçari, Gazmend Hyseni.
I plagosur nga ky rast ka mbetur edhe i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit, Qëndrim Januzi.
Ndryshe Januzi njihej si recidivist i disa veprave. Ai ishte i njohur për hetuesin edhe për vepra të kryera më parë, ndërsa tani është duke u trajtuar në spital si i plagosur në këtë rast.
Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se ai është plagosur nga një zyrtar në detyrë, i cili ishte me rroba civile dhe i njëjti ka intervenuar në momentin kur ka ndodhur vrasja.
“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhej në raportin e Policisë, shkruan lajmi.net.
Ndryshe brenda 4 muajve të parë të këtij viti në Kosovë ishin raportuar 7 vrasje