Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në një konferencë për media, ka thënë se tash e 2 vite qytetarët e vendit tonë po vazhdojnë të përballen me kriza e vështirësi, raporton InLajmi.
Stavileci, ka thënë se Qeveria ende pa i kaluar pasojat e rënda të njërës krizë, qytetarët po goditen nga efektet e pamëshirshme të krizës tjetër.
“Nisi me pandeminë, vazhdoi me energjinë elektrike, me reduktime dhe shtrenjtime, dhe tani e sa muaj me ngritje marramendëse çmimesh dhe rekorde të zeza inflacioni. Sot si asnjëherë më parë që nga çlirimi, familjet po varfërohen muaj pas muaji dhe gjendja e tyre po rëndohet orë e çast. Buxheti i familjeve kosovare po zvogëlohet me shpejtësi të madhe, çmimet po rriten me shpejtësi edhe më të madhe e shporta po pakohet drastikisht me prodhimet bazë të jetesës.”, ka thënë Stavileci.
Më tej, ai ka prezantuar numra dhe fakte për gjendjen familjeve kosovare, se si ato kanë jetuar më parë dhe si po jetojnë sot.
“Më lejoni t’ua prezantojë të dhënat e fundit në kohë reale për shportën e prodhimeve bazë për të jetuar. Në këtë krizë të madhe ekonomike, të gjitha familjet po mundohen ta gjejnë rrugën e ekzistencës, e edhe aktorët e tregut atë të mbijetesës për t’i mbuluar shpenzimet dhe për t’i kryer obligimet ndaj shtetit.”, ka thënë Stavileci.
Gjithashtu ai tha se janë dhënë shumë rekomandime për ligjin e pagave dhe për trustin e që këto duhet të ndodhin sa më shpejtë.
“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejtë. RRITJA E PAGAVE, RRITJA E PAGËS MINIMALE MBI 300 EURO DHE TËRHEQJA E TRUSTIT”. /InLajmi/