Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në pamundësi për të marrë pjesë në vorrimin e babait të tij, Avdullah Gucatit, ka vendosur që të dërgojë një letër, përcjell InLajmi.
Gucati nga burgu ka shprehur dhimbjen që ka ndjerë për humbjen e babait.
Ai ka thënë se as plumbi që e ka në trup, nuk i ka dhënë aq dhimbje sa lajmi për vdekjen e babait.
“Eh ta kisha ditë që ky plumb nuk me dha aq dhimbje
Sa dhimbje me dha lajmi që nuk me paske prit”, shkruan ai.
Gucati e ka quajtur babain e tij si shok lufte, shok shpirti, dhe shok lirie.
Kjo letër është publikuar në facebook nga djali i tij, Musli Gucati.

Letra e plotë e tij:
Letër nga Hysi me rastin e vdekjes së Gjyshit
Babë sot nuk i paske prit shokët si çdo herë tjetër
Me thanë që portreti ytë i priti të dera,
të ajo derë e shpisë që sditi kurrë me u mbyll
Që edhe Kur kulluan gjak plagët bashkë i kemi ndrydhë,
Unë plagët e tua e ti plagët e mia
Duke qesh me thojshe kështu bir e don liria
Shumë herë Shokve ni fjalë jau ke thanë
Ta kisha plumbin që ka Hysi në trup
Kurrë nuk e kisha larguar, kujtim të lirisë e kisha lanë
Eh ta kisha ditë që ky plumb nuk me dha aq dhimbje
Sa dhimbje me dha lajmi që nuk me paske prit
Të kisha shok lufte shok shpirti e shok lirie
Pusho Babë në amshim larg çdo padrejtësie. /InLajmi/