Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë kanë kthyer 2 shtetas shqiptarë nga zonat e konfliktit në Siri, përcjell InLajmi.
Sveçla ka thënë se ky veprim është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve.
Tutje Sveçla ka shtuar se është i lumtur që Kosova është shtet lider global në luftën kundër terrorizmit.
Postimi i plotë, i tij:
Si Qeveri e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë sot kthyem 2 shtetas tanë nga zonat e konfliktit në Siri. Kjo është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve tanë që ka filluar nga viti 2019.
Jemi të lumtur që jemi shtet lider global në luftën kundër terrorizmit duke zbatuar kështu me përgjegjësi të lartë obligimet tona si shtet anëtar i Koalicionit Global kundër ISIS.
Si institucione do të jemi në gjendje gatishmërie në çdo kohë dhe do të angazhohemi maksimalisht për mirëqenien e qytetarëve tanë por gjithmonë duke pasur parasysh që çdo veprim kundër ligjeve të Republikës së Kosovës dënohet sipas masave që përcaktohen nga ligjet.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij procesi, do të kërkoja mirëkuptim dhe respektim të privatësisë së të kthyerve dhe familjarëve të tyre./InLjami/