Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka folur për vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani duke shprehur pikëllim e thellë për këtë të fundit, përcjell InLajmi.
Jahjaga ka thënë se me Nishanin ka pasur një bashkëpunim të ngushtë gjatë mandateve presidenciale.
Tutje Jahjaga ka thënë se Nishani ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme.
Postimi i plotë, i saj:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Me Presidentin Nishani kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë gjatë mandateve tona presidenciale, si dhe një koordinim të shkëlqyeshëm ndërmjet të dy presidencave. I matur, pozitiv dhe shumë i përkushtuar në detyrë, Presidenti Nishani ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme.
Odetës, Fionës, Ersit si dhe mbarë familjes Nishani e shtetit shqiptar, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe! Bujari u prehtë në paqe!/InLajmi/