Kryetari i Prishtinës u shpreh se ka qenë shumë e nevojshme që testimet për trafik ndryshe, të bëhen nëpër rrugët e kryeqytetit.
“I kemi pasur 2 testime deri tani. Testimi i parë ka qenë para 6 jave dhe normal ka qenë një intervenim radikal, ta quaj, edhe pse para atij intervenimi kemi bërë simulime të ndryshme e analiza”, tha Rama.
“Mirëpo ka qenë më se e nevojshme që testimet të bëhen nëpër rrugët e kryeqytetit sepse simulimet mund të na japin ide dhe informata, por jo edhe informatë të saktë se si mund të jenë ato në realitet”.
Rama tha se e shtuna e parë ka qenë interesante për shumë qytetarë të kryeqytetit.
“Ndoshta ka pasur qytetarë edhe nga qytetet e tjera, kështu që ka qenë një trafik shtesë, i ngarkuar atë ditë. Mendoj që një numër i madh i qytetarëve kanë pasur dëshirë vetëm të shohin se si funksionon sistemi njëkahorë në qendër të Prishtinës. Kemi zgjedhë vikendin pasi që ka qarkullim më pak në trafik”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës u shpreh se ka marrë informata të shumta nga analizat që i ka bërë për impaktin që e ka pasur ky transformimi i rrugës njëkahore në qendër të Prishtinës.
“Ideja e kësaj është që ta fitojmë një hapësirë shumë të madhe, pra, edhe një rrugë shtesë të transportit alternativ të këmbësorëve”, shtoi ai.
Sipas Ramës, një ndër problemet që po përballet kryeqyteti është kaosi në trafik.
“Problem i madh është kaosi në trafik. 27 për qind e qytetarëve të Prishtinës vozitin automobil, ndërsa 73 për qind nuk vozitin. Ne tash po krijojmë alternativa për të gjithë qytetarët, edhe për ata që vijnë nga qytetet e tjera e që janë të punësuar në qendër të Prishtinës, në mënyrë që të kenë mundësi të parkohen përreth qendrës, pa hyrë në të”, tha ai.
“Qytetarët që vijnë nga komunat e tjera mund të vijnë të parkohen përreth e me atë biletë të parkingut ta përdorin edhe transportin urban”.
I pyetur për kontejnerët e stërmbushur me mbeturina si shkak i mbylljes së depove të mbeturinave, Rama tha se pastrimi i kryeqytetit është problem me të cilin janë duke u marrë në mënyrë intensive.
“Pastrimi i kryeqytetit është problem me të cilin jemi duke u marrë në mënyrë intensive dhe kemi pasur takim me komunat përreth, ku kemi shprehur këtë pakënaqësi”, deklaroi Rama.
“Si kryeqytet ne faktikisht e kemi votën e njëjtë me komunat tjera dhe në aspektin e vendimmarrjes është shumë më vështirë të marrim vendime të menjëhershme për të mirën e kryeqytetit ,pasi duhet t’i kemi parasysh edhe të gjitha komunat përreth.
Rama deklaroi se për fat të mirë, ka një bashkëpunim të mirëfilltë me kryetarët e komunave përreth, që “Pastrimi” si kompani, iu shërben edhe ka vendosur që mënyra më e mirë është që komuna e Prishtinës, ta ketë kompaninë e vetë të pastrimit, pra që merret vetëm me kryeqytet dhe të mos jetë më tutje, si kompani regjionale, shkruan RTK.
Rama në këtë intervistë foli edhe për tema të tjera si ndërtimi i rrugës “A”, qentë endacakë, etj.