Ka përfunduar finalja e Kupës së Kosovës mes Dritës dhe Llapit e zhvilluar sonte në ‘Fadil Vokrri’, ku llapjanët triumfuan me rezultat 1-2.
Një ndeshje tejet interesante u zhvillua sonte në Prishtinë mes Dritës dhe Llapit, por këta të fundit për herë të 2të radhazi arritën të shpalleshin përsëri fitues të Kupës së Kosovës.
Ishte minuta e 6-të kur pas një goditje të lirë të ekzekutuar në mënyrë brilante nga Francisco Rivera, skuadra e Tahir Batatinës kaloi në epërsi.
Megjithatë, për të barazuar rezultatin u përkujdes Hamdi Namani në minutën e 36-të, ku nga një harkim i mrekullueshëm i Muharrem Jasharit, ai u gjend më së miri në zonë dhe shënoi golin e barazimit, dhe me rezultat 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Por, pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë mesfushori, Arbnor Ramadani realizoi një gol të jashtëzakonshëm i cili doli të jetë edhe vendimtar në fund për skuadrën e tij, shkruan Gazeta Metro.
Deri në fund ‘Intelektualët’ provuan me të gjitha forcat të gjejnë golin e barazimit, mirëpo mbrojtja e Llapit u tregua e vëmendshme për të mos lejuar një gjë të tillë.