Të enjten e 26 majit duke filluar nga ora 12:00 do të protestohet para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së 30% të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), këtë e ka bërë të ditur Adnan Jashari, i cili është organizator i kësaj proteste, përcjell InLajmi.
Por ajo që tërhoqi vëmendje nga deklarata e Jasharit ishte pjesa që ata kanë marrë mbështetje të madhe edhe nga BSPK-ja.
E pas kësaj deklarate ka reaguar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk e përkrahin këtë protestë dhe se ajo deklaratë ishte e pavërtetë.
Komunikata e plotë e BSPK-së:
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është gardian i mbrojtjes së të drejtave të të punësuarve në Republikën e Kosovës, dhe ka strategjinë e tij vepruese që mbështetet fuqishëm po në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve e në promovimin e po të këtyre të drejtave, dhe po ashtu kujdeset që të mbrojë edhe pastërtinë e veprimit të vet nëpërmjet hierarkisë organizative e menaxhuese. Prandaj na duhet të reagojmë në prononcimin e organizatorit të protestës së nesërme, 26 maj 2022, për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), z. Adnan Jashari, duke treguar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk i ka dhënë asnjë përkrahje kësaj proteste. /InLajmi/