Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, bashkë me anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së është takuar me deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, përcjell InLajmi.
Ky takim u mbajt në Zyrën e Grupit Parlamentar të LVV-së, Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së bisedoi me deputetet dhe deputetët për shqetësimet reale të të punësuarve dhe kërkesat e arsyeshme të BSPK-së ndërlidhur me gjendjen e të punësuarve në Republikën e Kosovës.
Sipas komunikatës së BSKP-së, deputetët dhe deputet e Grupit Parlamentar të LVV-së u shprehën tejet të interesuar dhe u zotuan që proceset e dialogut social të qohen përpara si duhet dhe të lëvizet drejt realizimit të kërkesave të arsyeshme të BSPK-së.
BSPK pret që nisma e sotme të vazhdohet edhe më tej e sidomos të kurorëzohet me rezultatet e duhura të cilat do të hiqnin shqetësimet reale të të punësuarve duke u plotësuar kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e të cilat janë parashtruar në vazhdimësi e të cilat edhe u parashtruan në Protestën e 20 majit./InLajmi/