Anëtari i Parlamentit Evropian dhe raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik tha sot se nuk ka alternativë për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai në një intervistë për portalin “Kosovo Online”, duke folur për procesin e dialogut tha se pas zgjedhjeve në Kosovë problemi është në duart e lidershipit në Prishtinë dhe qeverisë Kurtit.
“Dialogu nuk ka alternativë, sepse nuk kemi asgjë tjetër. Dua të them gjithashtu se ka vetëm një zgjidhje evropiane dhe sinqerisht nuk e shoh se si do të lidhej kjo çështje me sanksionet kundër Rusisë, sepse dialogu është një dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e BE-së dhe është pjesë e progresit në perspektivën evropiane të rajonit dhe Beogradit”, transmeton Klankosova.tv.
“Unë i vlerësoj të gjithë hapat që ka ndërmarrë Beogradi në dialog. Pas zgjedhjeve në Prishtinë, problemi është shumë më tepër në duart e lidershipit në Prishtinë dhe qeverisë së Kurtit. Shpresoj të bëhet përparim në çështje më të vogla si targat, por edhe kur bëhet fjalë për çështje dhe angazhime më të mëdha të ndërmarra tashmë në të kaluarën. Mendoj se kjo është e qartë nga mesazhet e dëgjuara nga Parlamenti Evropian”, shtoi ai.