Nga anëtarësimi në NATO, më shumë që do të përfitonin në fushën e sigurisë do të ishin Suedia dhe Finlanda. Por, edhe Aleanca do të ketë një përfitim jo të vogël.
Përveç trupave dhe territorit ku zgjerohet, duke e bërë Balltikun praktikisht një zonë të sigurt, NATO do të shtonte në arsenalin e vet një set të ri luftarak jo të papërfillshëm.
Por, çfarë do të përfitonte NATO?
Së pari, sistemin suedez të artilerisë Archer. Ai është mjaft praktik, i saktë dhe tejet i manovrueshëm në terrene të vështira. Ky sistem mund të bëhet gati për të hapur zjarr brenda 30 sekondave.
Artileria e lehtë 95S58-61. Është prodhuar për herë të parë në Finlandë në vitet 1950. Aktualisht është versioni më i avancuar dhe në gjendje që me predhën e vet të shpojë çdo tank. Fuqia e predhës së lëshuar prej kësaj artilerie shpon deri në 50 centimetër në pjesën e blinduar.

Patria AMV është një tjetër aset finlandez që do t’i bashkohet NATO-s. Vlerësohet si një prej mjeteve më të mira për transport ushtarak, por që ka edhe aftësinë e shndërrimit në një platformë ushtarake, duke përfshirë këtu edhe e armëve që kontrollohen në distancë.
AMOS është sistem hedhës mortajash i automatizuar finlandezo-suedez. I gjithë procesi është automatik dhe me t’u aktivizuar, artileria është në gjendje që të lëshojë njëherësh deri në 10 predha mortajash.

155GH52 APU është artileria më e rëndë finlandeze me predha 155 milimetërshe. Ky është maksimumi i madhësisë së predhave me mbushje manuale nga njeriu.
BVS10 është autoblind suedezo-britanik i përshtatshëm për çdo terren, sidomos për mjedise me baltë dhe dëborë, që janë të pakalueshme për shumicën e mjeteve luftarake.

Tanku 90 është tanku suedez që shquhet për aftësinë që ka për të çaktivizuar amortizatorët në terrene të drejta, ose rrugë. Kjo i mundëson që të kapë një shpejtësi më të lartë dhe përshtatje sipas terrenit.