Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kujton masakrën e burgut të Dubravës, i cili tha se kjo është njëra prej krimeve makabre që pushtuesi serb bëri kundër shqiptarëve, përcjell InLajmi.
Gjithashtu, Haradinaj ka thënë se këto masakra edhe pse janë të dokumentuara deri në detaje, askush ende nuk është gjykuar.
Më tej, ai tha se, Shteti serb, po vazhdon të mos pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për këto krime.
Postimi i plotë i tij:
Për disa ditë me radhë, në javën e tretë të majit, në burgun e Dubravës ndodhi një prej krimeve më makabre që pushtuesi serb bëri kundër shqiptarëve.
22 maji 1999, gjithashtu kujtohet për dhunën e gjakatarëve, që kaploi dhe qytetin e Vushtrrisë, në tentim të zhdukjes së qenies shqiptare.
Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara deri në detaje, askush ende nuk është gjykuar. Dhembja për të rënët është e madhe, e mosvendosja e drejtësisë vetëm se mban të freskëta plagët e shpirtit.
Rruga deri te liria ishte e vështirë dhe me shumë sakrifica. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet, e Kosova vazhdon betejën për të vërtetën.
Lavdi të rënëve për liri! /InLajmi/