Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi ka komentuar vizitën e kryeministrit të vendit Albin Kurtit në SHBA, përcjell InLajmi.
Gjoshi theksoi se Kurti ka marrë një mesazh të fuqishëm nga SHBA-ja, që ata nuk e duan, pasi ky i fundit nuk është pritur në Shtëpinë e Bardhë siç janë pritur liderët e tjerë të Kosovës.
Deputeti i PDK-së ironizoi me Kurtin, duke thënë se ata e pritën te shkallët e jo në Shtëpinë e Bardhë.
“As Biden, as Harris, as Blinken, nuk patën kohë as 5 minuta për Kryeministrin e Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur pse ishte kryeministri i Kosovës, por pse ishte Albin Kurti.”, thotë ai.
Gjoshi thotë se ky duhet të jetë moment reflektimi për qytetarët e Kosovës, të cilët sipas tij duhet ta dijnë se jo më kot amerikanët e injoruan vizitën e Kurtit në SHBA.
Postimi i plotë i tij:
Albin Kurti u largua nga Amerika me mesazhin e fuqishëm të këtij shteti mik e aleat strategjik i shqiptarëve: Nuk të duam!
Vetëm para pak vitesh, liderët e Kosovës priteshin në takime në Shtëpinë e Bardhë. Albin Kurtin e pritën te shkallët.
As Biden, as Harris, as Blinken, nuk patën kohë as 5 minuta për Kryeministrin e Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur pse ishte Kryeministri i Kosovës, por pse ishte Albin Kurti.
Ky duhet të jetë një moment reflektimi për qytetarët e Kosovës se përse amerikanët e injoruan vizitën e Kurtit në SHBA? /InLajmi/