Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku iu ka drejtuar qytetarëve duke iu thënë se nga sot fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim, por nga shkurti e deri më sot, sipas tij qeveria e paaftë e Kosovës i ka detyruar të paguajnë kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%, përcjell InLajmi.
Abdixhiku ka thënë se tarifat e shtrenjta u detyruan t’i kthejnë, tani sipas tij duhet kthyer edhe paratë e qytetarëve që kanë paguar më shumë për disa muaj rresht.
Tutje Kryetari ka thënë se LDK do të nisë procedurat parlamentare, për kthimin e parave të qytetarëve.
Ai ka theksuar se qeveria duhet ta shkarkojë bordin e ZRRE-së dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet rreth tarifave.
Postimi i plotë, i tij:
Të dashur qytetarë,
Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.
Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet.
Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë.
Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë.
Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!/InLajmi/