Por më shumë se një refuzim, ajo turke sipas këtyre burimeve ishte në fakt paraqitje e një listë kërkesash për dy vendet kandidate, por edhe për aleatët e NATO-s.
“Nuk po themi se këto vende nuk mund të jenë pjesë e NATO-s, por që sa më parë do të kemi një marrëveshje, aq më parë mund të fillojnë diskutimet”, mësohet të kenë thënë diplomatët turq .
Por cilat mund të jenë bazat e kësaj marrëveshje? Në radhë të parë, ajo e hershme për ekstradimin në Turqi të 30 personave të cilësuar nga qeveria turke si terroristë. Një kërkesë e vjetër, kjo, por që tani shndërrohet në një pikë kyçe, saqë u përsërit sot nga vetë presidenti Erdogan në Parlament. “Kanë refuzuar të na i japin. Nuk na ktheni terroristët dhe pastaj pretendoni mbështetjen tonë për NATO” janë fjalët e Erdogan, sipas agjencisë turke Anadolu.
Ndërkohë, qarkullon në kanceleritë perëndimore një listë “dëshirash” që Erdogan i ka dërguar vendeve europiane dhe Uashingtonit për të ndërruar mendje.
Ndër to, flitet për heqjen e kufizimeve mbi tregtinë e armëve, përfshirja në programin europian për furnizimin me avionë F-35 si dhe heqja e sanksioneve për blerjen e raketave ruse S-400. Një listë kjo që gjithsesi gjatë mbrëmjes Pentagoni nuk ka zyrtarizuar, por as ka mohuar kategorikisht.