Pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama është shprehur se ky shtet nuk do të jetë pengesë, përkundrazi do ta mbështes fuqishëm shtetin kosovar në këtë proces.
Lama theksoi se mungesa e Rusisë në këtë organizatë ka krijuar një momentum të favorshëm për Kosovën.
Ish-deputetja shtoi se nëse Kosova nuk i ka 2/3 e votave, nuk do të duhej të aplikonte.
“Nuk kam informacion se sa ka punuar paraprakisht Ministria e Punëve të Jashtme për të parë se sa vota i ka në Këshillin e Evropës aktualisht, sepse aty votohet me 2/3 dhe në rast se nuk i ka votat, aplikimi do të ishte një gabim për mendimin tim. Duhet që të gjitha selitë diplomatike të Kosovës, ambasadorët të angazhoheshin në secilin shtet, siç kemi për përshembull për Interpol-in, që paraprakisht që X shtet apo Y shtet e voton Kosovën për në Këshillin e Evropës”, tha ajo.
Lama potencoi se para se të aplikonte për anëtarësim në KiE, Kosova do duhej ta kishte mbështetjen edhe të shteteve të QUINT-it.
“Tani ne pamë një reagim diplomatik nga Franca, e cila duket se nuk ishte konsultuar në lidhje me këtë iniciativë. Kemi parë një mbështetje të fuqishme të Gjermanisë, por një hap të tillë sidomos Kosova nuk do duhej ta merrte pa mbështetjen e plotë të QUINT-it. Në QUINT bëjnë pjesë edhe SHBA, ata janë vëzhgues në Këshillin e Evropës, por sigurisht që ndikimi i tyre është shumë i fuqishëm dhe të gjitha vendimet e rëndësishme për Kosovën kanë vulën e QUINT-it”, theksoi Lama, shkruan Tëvë1.
Ish-ambasadorja tha se ky proces do të marrë së paku disa muaj.