Në Parlametin Evropian në Bruksel, kanë filluar punimet 2-ditore të plenumit Parlamentar të Sekretariatit të Energjisë, ku ka marrë pjesë edhe Kosova, përcjell InLajmi.
Kosova është përfaqësuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila dhe kryetari i Komisionit për ekonomi nga opozita Ferat Shala.
Kusari-Lila gjatë prezantimit ka theksuar sfidën e Kosovës në diversifikimin e burimeve të energjisë si dhe mbulimin e kërkesës për energji të përballueshme në dimër, gjithashtu ka përmendur edhe çështjen e energjisë në Veri të vendit.
Nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë Kusari-Lila ka kërkuar krijimin e mekanizmit për vendosjen e çmimit tavan në kohën e ngritjes enorme të çmimeve dhe angazhim në hapje të rastit kundër Serbisë për pengim të shfrytëzimit të rrjetit të interkoneksionit Kosovë – Serbi nga TSO-ja Serbe.
Postimi i plotë i saj:
Sot në Bruksel në Parlametin Evropian, kanë filluar punimet dy ditore të plenumit Parlamentar të Sekretariatit të Energjisë.
Pjesëmarrja jonë si Kosovë është me një përfaqësuese të Kuvendit të Kosovës nga pozita, bashkë me kryetarin e Komisionit për Ekonomi nga opozita, deputetin Ferat Shala.
Punimet e këtij plenumi dy ditor i hapi Kryesuesi i Komisionit për Industri dhe Energji nga Parlamenti Evropian, deputeti Cristian-Silvu Busol, pasuar nga Komisionerja e BE-së për Energji, znj. Kadri Simson. Sesionit iu drejtua edhe Z. Andreiy Gerus, udhëheqësi i Komitetit për Energji, banim dhe shërbime publike nga Parlamenti i Ukrainës.
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, prezantova në pikën e rendit të ditës: Shkëmbimi i vështrimeve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Sfida e Kosovës mbetet diversifikimi i burimeve të energjisë, mbulimi i kërkesës me energji të përballueshme gjatë pikut të kërkesës në dimër, investimi në burime të ripërtritshme, si dhe, kthimi i normalitetit në Veri të vendit.
Nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kërkova krijimin e mekanizmit për vendosjen e çmimit tavan në kohën e ngritjes enorme të çmimeve dhe angazhim në hapje të rastit kundër Serbisë për pengim të shfrytëzimit të rrjetit të interkoneksionit Kosovë – Serbi nga TSO-ja Serbe.
Parlamentarët Evropianë dhe ata të Parlamenteve Nacionale të rajonit, i informova për projektet e reja në energjinë e ripërtritshme në Kosovë, synimet e shtetit në dekarbonizim dhe përgaditjet për Strategjinë e re në përputhje me planin kombtar për energji dhe klimë.
Kosova mbetet e përkushtuar në realizmin e caqeve që dalin nga Marrëveshja e Gjelbërt e Evropës në përputhje edhe me caqet e zhvillimit të qëndrueshëm. /InLajmi/