Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se pret qe Kuvendi do ta votojë ligjin i cili u mundëson qytetarëve të Kosovës që të tërheqin një pjesë të parave të tyre nga Trusti.
Ai e arsyetoi këtë duke thënë se vjen si pasojë, siç tha, ngritjes së çmimeve të konsumit dhe e mungesës së një vizioni të veprimeve të Qeverisë.
“Ne e kemi dorëzuar si nismë ligjore dhe besojmë se do të vijë në Kuvend në ditët e ardhshme. Ka qenë e domosdoshme që të lëvizet diku së është evidente ngritja enorme e çmimeve. Pjesa e të mirave bazike janë rritur me mbi 20%. Në mungesë të një vizioni të veprimeve të Qeverisë dhe me prezencën e arrogancës së Qeverisë Kurti që është “mbytur duke na thënë se është rritur ekonomia”, më së miri është me i pyet njerëzit se a janë mirë, sepse ata po kërkojnë që të ketë një infuzion financiar”.
Krasniqi po ashtu sugjeroi deputetët që t’i pyesin votuesit e tyre se çka po duan dhe më pas të marrin vendim për votim ose jo, shkruan Klan Kosova.
“Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj nisme. Ligji do të diskutohet e hidhet në votim. Shpresoj që edhe një pjesë e pushtetit do ta votojë. Deputetët më së miri e kanë që t’i pyesin votuesit e tyre se çka po duan e çka mendojnë, pastaj le të vendosin. Nëse qytetarët që i kanë votuar thonë se po duan t’u mundësohet tërheqja e mjeteve të tyre dhe ata nuk e votojnë ligjin, atëherë i bie që deputetët e pushtetit janë përfaqësues të kryeministrit dhe jo të qytetarëve”, shtoi Krasniqi